KALABREZËT NË AMERIKË

Ishte shtunë dhe u zgjova herët. Hapa një biografi me ilustrime të bukura mbi Nënë Terezën, të shkruar nga Xhoana Hërlei. Nuk e dija arsyen, por dija se më pëlqente të rilexoja dy faqe të veçanta nga ky libër. Faqja katërmbëdhjetë titullohej Ballkani dhe fillonte me historinë e prindërve të Nënë Terezës.

“Në dhjetëvjeçarin e parë të shekullit të 20-të, një farmacist me emrin Nikollë Bojaxhiu me gruan e tij të re, Dranafile, u larguan nga shtëpia e tyre në Shkodër në Shqipërinë e Veriut. U zhvendosën ndofta njëqind milje dhe shkuan në qytetin e vogël të Shkupit. Lëvizja e tyre ishte dhe nuk ishte emigrim. Shkupi ndodhet goxha jashtë Shqipërisë, në Kosovë, një rajon i asaj çka sot është Maqedonia e Serbisë. Por atëherë, si dhe sot, ai popullohej kryesisht nga shqiptarët. Në atë kohë Shqipëria dhe rajoni i Kosovës bënin pjesë në Perandorinë Otomane, pra Nikolla dhe Dranafileja thjesht kishin lëvizur nga një pjesë e perandorisë në një tjetër.”

Kur lexova së pari këtë pasazh, u çorodita krejt. Mendja ime punonte duke iu referuar hartës së sotme të Ballkanit. Kufijtë nuk kanë qenë kurrë një temë e lehtë në Ballkan.

Duke vazhduar në faqen shtatëmbëdhjetë, pata joshjen të lexoja paragrafin që përshkruante Nikollën, të atin e Nënë Terezës.

“Për t’i ndërlikuar gjërat më tej, Nikolla ishte një shqiptar nacionalist. Shkupi nuk ishte larg Shqipërisë dhe sipas fjalëve të një biografi, Bojaxhinjtë ‘ndiheshin shqiptarë dhe flisnin shqip’. Gjatë dhe pas luftës, Nikolla u aktivizua për ta bërë Kosovën pjesë të Shqipërisë së Re të Pavarur. Mirëpo përkundrazi, Maqedonia, përfshirë Kosovën, u bë pjesë e Jugosllavisë. Ndërkohë, kundërshtimi i kushtoi shtrenjtë Nikollës dhe familjes së tij.”

Isha shumë kureshtare të dija se ç’lidhje ekzistonte midis angazhimit humanitar të Nënë Terezës dhe patriotizmit shqiptar të Nikollës. Vendosmëria e tij për të kundërshtuar oreksin jugosllav qe tejet e rrezikshme.

“Qëndrimi i tij nuk ishte i mirëpritur nga qeveria e re jugosllave. Veglat e saj i binin pareshtur më qafë Nikollës, thotë Lazari. Dikur atë vit, Nikolla po udhëtonte për në Beograd për një takim, ka të ngjarë politik. Erdhi në shtëpi jashtëzakonisht i sëmurë, me dhimbje të forta barku; nuk vonuan dhe e çuan në spitalin vendor. Vdiq atje shpejt pas mbërritjes; i helmuar, thoshte me bindje Lazari, nga policia jugosllave, që e kishte ‘eliminuar për arsye politike’. (Në dëshminë e vdekjes, megjithatë, helmimi nuk përmendej fare.)”

Isha mrekulluar nga libri i Xhoanës. Ajo e vështronte jetën e Nënë Terezës nga një këndvështrim shumë interesant. Nuk kisha lexuar kurrë një biografi kaq të detajuar për Nënë Terezën.

I hodha një sy orës dhe pashë se ishte rreth tetë. Vendosa që t’ia dhuroja këtë libër për Nënë Terezën ambasadorit të Anglisë në Maqedoni. Dy ditë më parë, prindërit e mi kishin marrë viza për një vizitë tek im vëlla në Angli. Ishte një ngjarje e madhe për familjen time.

Shkova në postë në Nogëtak. Po e dërgoja Nënë Terezën në shtëpinë e saj, në Shkup. Duke mbushur formularët për dërgesën postare ndërkombëtare në Maqedoni, nëpunësi i postës nga ana tjetër e dhomës më pyeti, “Shqiptare jeni?”

“Po” — iu përgjigja menjëherë duke e pyetur: “Nga e kuptuat?”

“Dukeni shqiptare” — tha ai. “Edhe unë jam shqiptar” — shtoi.

“Ju nuk dukeni shqiptar”, ia ktheva unë, megjithëse më vonë, kur u miqësuam, e vija re fare mirë atë shkëndijë në sytë e tij dhe karakterin e tij shqiptar. Nuk gjej ndonjë shpjegim shkencor për këtë ‘dukje’. Mendoj se është një ‘softuer’ i instaluar thellë brenda ne të gjithëve.

“Jam shqiptar nga Kalabria, Italia” — më tha. — “Jam brezi i tretë në Shtetet e Bashkuara.”

“Ku banoni?” — e pyeta.

“Në Nju Hevën.”

Quhej Dan Oliverio. Familja e tij kishte ardhur nga Pensilvania dhe qe sistemuar në Nju Hevën. Gjyshi i tij Samuel, që në arbërisht i thërrisnin Severio, kishte shkuar në Belgjikë nga një provincë e Italisë së Jugut. Më pas qe kthyer përsëri në Kalabri për t’u larguar sërish nga Kalabria në Amerikë.

“A mund t’ju intervistoj si refugjat arbëresh në Nju Hevën?” — e pyeta.

Ishte shumë miqësor dhe i gatshëm për të më ndihmuar me projektin tim mbi refugjatët në Nju Hevën. Ky ka qenë kontakti më i lehtë që kam pasur me familjet refugjate në Nju Hevën.

“Duhet të bisedoni me babanë dhe xhaxhanë tim, por veç e veç. Mënyra se si i kundërshtojnë ata tregimet e njëri-tjetrit nuk është për t’u regjistruar në kamera. Mendoj se kjo e tregon më së miri se kush jemi ne. Ne kundërshtojmë njëri-tjetrin.”

Ika nga posta duke sjellë nëpër mend përkufizimin e Danielit për shqiptarët. Ata kundërshtojnë njëri-tjetrin. Më pëlqente kjo. Fjalët e tij më dukeshin krejt të vërteta: me gjithë ato përvoja në jetën time, këtë gjë duhej ta kisha vënë re prej kohe.

Pas një muaji, Dan Oliverio më ndihmoi që të takoja babanë e tij, Trio Oliverio në International Pancake House në Hamden, një qytet i vogël i bashkuar me Nju Hevënin.

Trioja foli shqip me mua. Në fakt fliste dialektin e vjetër të shqipes origjinale. Kalabria ishte një rajon në Italinë e jugut ku kishin gjetur strehë refugjatët shqiptarë të shekullit të pesëmbëdhjetë që ishin larguar për arsye të pushtimit të Ballkanit nga otomanët. U habita me shqipen e përkryer të Trios.

Trioja më tha se italishten nuk e kishte folur kurrë rrjedhshëm dhe se çdo vit shkonte në fshatin e tij Shën Nikollë në Kalabri. Atje kishte një shtëpi, ku i pëlqente të shkonte. Të gjithë në Kalabri habiteshin se si Trioja kishte mundur ta ruante gjuhën e tij amtare kaq gjatë në Amerikë.

Kishte një shpjegim për këtë. Trioja fliste arbërisht në Nju Hevën. Më tha se më 1948, kur punonte tek vjehrri i tij i ardhshëm në një magazinë mobiljesh, të gjithë pronarët e qendrës së qytetit ishin arbëreshë nga Kalabria.

Trioja njihte shumë njerëz në Universitetin e Jeilit. Ai vetë merrej me riparimin e orendive në Jeil.

Unë habitesha me Trion. Kishte një libër në arbërisht dhe italisht mbi fshatin e të atit. Fshati Shën Nikollë ishte vendi më i bukur në sytë e Trios. Ai ma dhuroi mua atë libër të mrekullueshëm.

U largova nga International Pancake House me ndjenjën se do të qëndroja në kontakt me Trion dhe Danielin. Pas takimit me Danielin dhe Trion ndihesha kaq e lumtur. Kisha filluar të mendoja se në Nju Hevën nuk ndodhej asnjë shqiptar. Prej tyre mësova se atje ndodheshin shumë refugjatë arbëreshë nga Kalabria.

photo9O Zot, pse jemi kaq të shpërndarë, pyesja veten përsëri e përsëri. Kjo ishte PSE-ja më e madhe në jetën time.

1 Comment

  1. Kemi nevoje per shkrimet e tua Ganimete Pashoja Myftiu.Marim informacione te bollshme dhe te panjohura me pare.Faleminderit!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *